Kryeministri Sir Keir Starmer ka deklaruar zyrtarisht se Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë përfshirje në operacionin e forcave speciale amerikane në Venezuelë, gjatë të cilit u prangos presidenti Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij.
Në prononcimin e tij të parë që pas sulmit të befasishëm të autorizuar nga Donald Trump, kryeministri bëri të ditur se ende nuk ka komunikuar me presidentin e SHBA-së. Ai theksoi se Londra zyrtare është e fokusuar në përcaktimin e saktë të fakteve mbi këtë ngjarje të jashtëzakonshme.
Starmer konfirmoi se qeveria britanike, përmes ambasadës në Karakas, po punon intensivisht për të garantuar sigurinë e rreth 500 shtetasve britanikë që ndodhen aktualisht në Venezuelë.
Gjatë fjalës së tij për mediat, kryeministri u shpreh: “Kjo është një situatë që po evoluon me shpejtësi dhe prioriteti ynë është zbardhja e të vërtetës. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë lidhje me këtë operacion. Ne po përqendrohemi te shtetasit tanë dhe po bashkëpunojmë ngushtë me ambasadën. Synojmë të komunikojmë me presidentin dhe aleatët tanë sapo të kemi një pasqyrë të qartë të fakteve.”
Sipas raportimeve nga Euronews.al, kreu i qeverisë britanike shtoi se po pret detaje të mëtejshme nga konferenca për shtyp që Donald Trump pritet të mbajë gjatë ditës së shtunë.
“Unë besoj fuqishëm se të gjithë duhet t’i përmbahemi të drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, në këtë fazë kritike, duhet të presim dokumentimin e plotë të rrethanave përpara se të procedojmë më tej”, u shpreh Starmer.
Pavarësisht këtij qëndrimi të matur, kryeministri po përballet me presionin e opozitës për të denoncuar ndërhyrjen. Udhëheqësi i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, e cilësoi veprimin si “të paligjshëm”, duke paralajmëruar se ky akt mund të shërbejë si një precedent i rrezikshëm global. Përmes një postimi në rrjetin social X, Davey i bëri thirrje Starmerit që ta dënojë hapur lëvizjen e Trump në Venezuelë./lajmishqip.net

