Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guérot. Fokusi i diskutimit ishin zhvillimet më të fundit politike në vend, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Gjatë bisedës, Osmani nëvizoi rëndësinë jetike të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, duke kërkuar respektimin e standardeve më të larta demokratike, fushë në të cilën Kosova tashmë është dëshmuar si shembull rajonal. Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe marrja e detyrës nga kryetarët e zgjedhur në komunat e Kosovës, përfshirë ato në veri, proces ky që u finalizua gjatë ditës së sotme.
Presidentja e ngriti me urgjencë çështjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se mbajtja e tyre në fuqi, pa asnjë arsye të qenësishme, është e padrejtë dhe po dëmton drejtpërdrejt interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Në këtë frymë, Osmani rikonfirmoi përkushtimin e saj për thellimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Francës.
Kujtojmë se BE-ja vendosi masa ndëshkuese në vitin 2023, të cilat përfshinin pezullimin e grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), mungesën e ftesave në takime të nivelit të lartë dhe ngrirjen e fondeve, duke lënë Kosovën jashtë granteve në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Së fundmi, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Prishtinë, deklaroi se BE-ja ka nisur heqjen graduale të këtyre masave, ndonëse pa dhënë detaje konkrete. Raportimet sugjerojnë se hapat e parë të lehtësimit lidhen me zhbllokimin e takimeve të MSA-së dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor./lajmishqip.net
