Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar si vendimtar “kthimin e komunave të veriut te populli” si dhe fuqizimin e strukturave komunale në jug të Ibrit, duke i lidhur këto zhvillime drejtpërdrejt me “të ardhmen dhe mbijetesën e popullit serb”.
Ky qëndrim u bë i ditur pas një takimi të zhvilluar në Rashkë me përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët më 5 dhjetor rimorën zyrtarisht drejtimin e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Përmes një mesazhi në Instagram, Petkoviq paralajmëroi se “po vijnë kohë më të mira”, duke garantuar se shteti serb dhe presidenti Aleksandar Vuçiq mbeten të përkushtuar për të mbështetur popullin e tyre dhe për të ruajtur paqen e stabilitetin.
Rikthimi i Listës Serbe në qeverisjen lokale vjen pas një periudhe trevjeçare tensionesh, që pasuan largimin masiv të serbëve nga institucionet. Vlen të theksohet se kryetarët e rinj e morën detyrën duke u betuar mbi ligjet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka përshëndetur “dorëzimin e qetë” të detyrës, duke e vlerësuar si një hap konstruktiv. Kujtojmë se që nga dorëheqjet e nëntorit 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve pasuese, këto komuna ishin drejtuar nga kryetarë shqiptarë./lajmishqip.net
