Shtetet e Bashkuara kanë komunikuar një kërkesë të qartë dhe urgjente: Europa duhet të marrë përsipër shumicën e kapaciteteve mbrojtëse konvencionale të NATO-s, duke filluar nga inteligjenca e deri te raketat, brenda vitit 2027. Ky mesazh u përcoll nga zyrtarët e Pentagonit te diplomatët europianë në Uashington, duke vendosur një afat kohor që shumë prej tyre e konsideruan jorealist. Lajmi konfirmohet nga pesë burime, përfshirë një zyrtar amerikan, të cilët referuan një takim të mbajtur këtë javë mes stafit të politikave të NATO-s në Pentagon dhe delegacioneve europiane.
Sipas agjencisë “Reuters”, transferimi i kësaj barre nga SHBA-të tek anëtarët europianë të Aleancës do të transformonte në mënyrë drastike bashkëpunimin historik ushtarak. Gjatë takimit, zyrtarët amerikanë shprehën pakënaqësi me ritmin e Europës në rritjen e aftësive mbrojtëse pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Paralajmërimi ishte i prerë: nëse Europa dështon të përmbushë afatin e vitit 2027, SHBA-të mund të pezullojnë pjesëmarrjen në disa mekanizma kyç të koordinimit të mbrojtjes brenda NATO-s.
Megjithatë, situata mbetet e paqartë edhe brenda Uashingtonit. Nuk dihet ende nëse ky afat përfaqëson qëndrimin zyrtar të administratës Trump apo vetëm pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit, ndërsa disa ligjvënës në Capitol Hill janë shprehur të shqetësuar për mesazhin e dhënë.
Nga ana tjetër, diplomatët europianë argumentojnë se afati i vitit 2027 është i pamundur logjistikisht, pavarësisht vullnetit politik apo fondeve. Sfidat përfshijnë vonesat në prodhimin e armatimeve dhe kohën e gjatë të dorëzimit për sistemet e porositura amerikane. Për më tepër, SHBA-të ofrojnë kapacitete unike, si inteligjenca dhe mbikëqyrja, të cilat nuk mund të zëvendësohen lehtë. Ndërsa BE-ja ka vendosur vitin 2030 si objektiv për vetëmbrojtje, analistët dhe zyrtarët e NATO-s pranojnë se përshpejtimi i këtij procesi mbetet një sfidë madhore./lajmishqip.net
