Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen e saj në Këshillin e Përhershëm të Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), i mbajtur nga 19 deri më 21 nëntor 2025 në Paris. Delegacioni i udhëhequr nga Kryetari i Odës, z. Mehdi Reshani, e i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, u kthye me mbështetje të plotë për reformimin e procedurave të përmbarimit në Kosovë, në mënyrë që ato të jenë plotësisht në perputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Delegacioni i Kosovës, përveç Kryetarit të Odës, përbëhej edhe nga z. Kushtrim Metaj, Anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe z. Mervan Zejnullahu, Udhëheqës i Shërbimit Profesional të Odës. Nga Ministria e Drejtësisë gjithashtu ishte prezente znj. Feride Podvorica, Drejtoreshë e Departamentit për Mbikëqyrjen e Ligjshmërisë së Profesioneve të Lira Ligjore.
Gjatë takimeve me Presidentin e UIHJ-së, z. Marc Schmitz, delegacionin italian dhe anëtarët e Bordit të UIHJ-së, diskutimet u përqendruan në besueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit të përmbarimit. Oda është duke punuar për të adoptuar protokolle të avancuara, si projekti “DIGIJUST” dhe iniciativat e drejtësisë të bazuara në inteligjencë artificiale, të cilat u diskutuan në sesion me qëllim që sistemi i përmbarimit dhe proceset ligjore në Kosovë të jenë më të shpejta, më të drejta dhe më transparente.
Këshilli i Përhershëm i UIHJ-së mblodhi përfaqësues nga mbi 100 shtete dhe trajtoi çështje kyçe që lidhen me përmbarimin civil, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe modernizimin e sistemeve përmbarimore.
Pjesëmarrja e vazhdueshme e Kosovës në strukturat e UIHJ-së reflekton një bashkëpunim për mbi dhjetë vite, që filloi në vitin 2013 dhe u kurorëzua me anëtarësimin e plotë të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosoëvs në vitin 2021 — duke e bërë Odën një anëtare të barabartë të UIHJ-së. Qellimi i Odës është vazhdimi i angazhimit me UIHJ-në me qëllim të zhvillimit profesional, njohjes ndërkombëtare dhe modernizimit të shërbimeve të përmbarimit në Kosovë.
Oda shprehu gatishmërinë e saj për të marrë pjesë në disa nga ngjarjet e ardhshme të UIHJ-së, përfshirë Spring European Samit – Këshillin Pranveror Evropian në Gjeorgji dhe Kongresin e 26-të Ndërkombëtar të UIHJ–së që do të mbahet në Lisbonë.
Gjatë sesionit, UIHJ gjithashtu mirëpriti Kirgistanin si anëtar të ri dhe prezantoi ACDC Itali si anëtare vëzhguese, duke rikujtuar rëndësinë në rritje të përmbaruesve gjyqësorë të pavarur në nivel global. Për Kosovën, të qenit një zë i respektuar në këtë tryezë është dëshmi e pjekurisë së institucioneve tona të drejtësisë.



