Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka procesuar shumicën e votave nga zgjedhjet lokale në komunat me shumicë shqiptare, duke nxjerrë fituesit e parë dhe duke çuar disa prej garave më të nxehta në balotazh.
Sipas rezultateve preliminare, koalicioni VLEN ka shënuar një fitore bindëse në raundin e parë në disa komuna kyçe, duke përfshirë Çairin me Izet Mexhitin, Haraçinën me Daut Beqirin, Tearcën me Daut Memishin, Sarajin me Muhamed Elmazin, Bogovinën me Feti Abazin dhe Zhelinën me Blerim Sejdiun.
Nga ana tjetër, koalicioni AKI, i udhëhequr nga BDI, ka siguruar fitore pa balotazh në Komunën e Likovës me Erkan Arifin dhe në Gostivar me Valbon Limanin, si dhe në Pllasnicë e Çashkë.
Gara pritet të jetë e ashpër në raundin e dytë në disa prej qendrave më të mëdha. Në Tetovë, Bilall Kasami i VLEN-it do të përballet në balotazh me Bajram Rexhepin. Në Strugë, Mendi Qyra do të garojë kundër Arsim Dalipit të AKI-së, ndërsa në Kërçovë, kandidati i OBRM-PDUKM-së, Aleksandar Jovanovski, shkon në balotazh me Fatmir Deharin e AKI-së.
Ndërkohë, në komunën e Vrapçishtit zgjedhjet kanë dështuar për shkak të mosarritjes së censusit të nevojshëm./lajmishqip.net