Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me vrasjen e trefishtë që tronditi Gjilanin më 10 gusht, ku të dyshuarit kryesorë, Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Edonis dhe Engjull, janë ende në arrati. Pas më shumë se dy muajsh kërkime intensive nga Policia e Kosovës, një dëshmi e re sugjeron se ata mund të jenë strehuar në Serbi.
Një lexues ka raportuar se i ka parë tre personat e kërkuar në qytetin e Nishit, duke ofruar edhe një fotografi ku dyshohet se shfaqen ata. Ky informacion vjen ndërkohë që autoritetet vazhdojnë të jenë në kërkim të tyre për vrasjen e argjendarëve Selami dhe Edmond Hasani (babë e bir), si dhe Abedin Hoxhës.


Policia e Kosovës, e cila më herët kishte publikuar fotografitë e të dyshuarve dhe kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve, është kontaktuar për të dhënë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë pistë të re hetimi, por ende nuk ka një përgjigje.
Autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo informacion për vendndodhjen e tyre ta raportojnë në stacionin më të afërt policor ose përmes numrave emergjentë./lajmishqip.net