Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afërsisht 35 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit për të mbuluar shpenzimet ligjore të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë. Këtë shifër e ka bërë publike ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Sallahu, i cili theksoi se ky investim financiar synon të sigurojë lirimin e të akuzuarve nga ato që ai i quajti “aktakuza inekzistente”.
Në një deklaratë të tij, Sallahu ka detajuar se mbështetja ka qenë e vazhdueshme dhe thelbësore.
“Ministria e Drejtësisë ka shpenzuar rreth 35 milionë euro për pagesën e avokatëve dhe shpenzimeve të tjera,” shkroi ai, duke shtuar se vetëm për mbrojtjen ligjore të ish-presidentit Hashim Thaçi, shteti ka paguar rreth 6 milionë euro. “Ne, si qeveri, jemi duke mbuluar aspektin financiar, ndërsa të akuzuarit po vuajnë mungesën e lirisë si pasojë e një gjykate që gjykon etnikisht dhe padrejtësisht,” përfundoi Sallahu./lajmishqip.net