“Çorba e Balotazheve”: Rama i kundërpërgjigjet ashpër LVV-së për Specialen, sqaron pjesëmarrjen në Protestë

1 minute, 35 seconds Read

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur ashpër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila një ditë më parë e akuzoi për “ndryshim qëndrimi” në raport me Gjykatën Speciale në Hagë. LVV kishte deklaruar se Rama “kishte ardhur në Kosovë me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”.

Përmes një reagimi në platformën “X”, Rama e hodhi poshtë këtë qasje, duke akuzuar LVV-në se po i ngatërron marrëdhëniet institucionale Kosovë-Shqipëri “në çorbën e balotazheve komunale”.

“Unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen,” shkroi ai, duke i kujtuar partisë në pushtet në Kosovë qëndrimet e saj të mëparshme. “Për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës,” theksoi Rama.

Lidhur me protestën “Drejtësi për Çlirimtarët” që do të mbahet nesër në Tiranë, Rama sqaroi se, ndonëse e mbështet plotësisht, ai nuk do të marrë pjesë për të mos e politizuar nismën. “Unë as nuk jam organizator e as folës. Do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” deklaroi ai.

Protesta organizohet nga OVL-UÇK, nga e cila pritet të nisen mbi 60 autobusë nga Kosova. Kjo pason protestat e mëparshme të mbajtura në Hagë më 14 shtator dhe në Prishtinë më 7 gusht, të cilat kërkojnë drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme