Situata në jug të Sirisë ka eskaluar në një konflikt të përgjakshëm, ku qindra persona kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit, ndërsa dhuna është intensifikuar në provincën Suweida, një rajon i banuar kryesisht nga pakica Druze.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me seli në Britaninë e Madhe, raporton se që nga e diela, të paktën 594 persona janë vrarë në një konflikt që tashmë ka marrë një dimension të qartë sektar.
Në mesin e viktimave bëjnë pjesë 300 anëtarë të komunitetit Druze, nga të cilët 146 ishin luftëtarë dhe 154 civilë. Sipas SOHR, shifra përfshin edhe 83 civilë të ekzekutuar nga forcat qeveritare, raporton lajmishqip.
Nga ana tjetër, pala qeveritare ka pësuar gjithashtu humbje të konsiderueshme, me 257 ushtarakë dhe 18 luftëtarë beduinë të vrarë. Gjithashtu, tre civilë beduinë raportohet se janë vrarë si pasojë e sulmeve hakmarrëse nga luftëtarët Druze.
Shpërthimi i dhunës në këtë rajon të Sirisë po konsiderohet si një ndër episodet më të rënda të përplasjeve me bazë sektare gjatë viteve të fundit, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm në një zonë që më parë konsiderohej relativisht e qëndrueshme, raporton lajmishqip.