Sveçla konfirmon arrestimin e zyrtarit serb për spiunazh: Rrjetet e Serbisë po çmontohen me sukses

1 minute, 57 seconds Read

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë për Inteligjencë, ka zhvilluar sot një operacion të gjerë nën dyshimet për veprimtari spiunazhi.

Gjatë këtij aksioni është arrestuar një zyrtar policor i komunitetit serb.

Sipas raportimeve të mëhershme të Telegrafit, i arrestuari është Bojan Jevtiq, i cili mbante pozitën e zëvendëskomandantit të policisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, raporton lajmishqip.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Po, është e vërtetë dhe dua t’i përgëzoj AKI-në, IPK-në dhe Prokurorinë për këtë aksion tejet të rëndësishëm,” u shpreh Sveçla para gazetarëve. “Nuk mund të jap më shumë informacione, por sinqerisht ju them se kështu forcohet besimi në organet tona të sigurisë”.

Më pas, në një postim në Facebook, ministri Sveçla ka theksuar se rrjetet e spiunazhit në Kosovë po çmontohen me sukses.

“Pas një hetimi të gjatë nga institucionet tona, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtić, i dyshuar për veprimtari spiunazhi për llogari të Serbisë,” shkroi Sveçla. “Ky shënon të arrestuarin e gjashtë për raste të tilla, dhe njëri nga të dyshuarit tashmë ka pranuar fajësinë. Kjo konfirmon seriozitetin e institucioneve tona dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekje destabilizuese ndaj Republikës.”

Sveçla ka paralajmëruar se të njëjtin fat do ta kenë të gjithë ata që tentojnë të minojnë besimin dhe rolin e tyre brenda Policisë së Kosovës.

“Ne do të jemi të pakompromisë dhe vigjilentë përballë çdokujt që e shfrytëzon pozitën në Polici për të sulmuar republikën, dhe bashkëpunimi institucional ka treguar sërish se është kyç në luftën kundër këtyre veprimtarive,” ka potencuar ai. “Republika e Kosovës po e forcon sovranitetin si asnjëherë më parë, dhe përkrahja jonë për institucionet e sigurisë është thelbësore në këtë mision të shenjtë.”

“Lufta ndaj paligjshmërisë do të vazhdojë dhe jam i bindur se sukseset nuk do të mungojnë”, ka përfunduar ministri në postimin e tij.

Deri më tani, institucionet përgjegjëse të sigurisë nuk kanë ofruar detaje të mëtejshme lidhur me këtë operacion, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme