Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e një zyrtari publik në Qendrën e Regjistrimit Civil, mbi dyshimet për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Sipas komunikatës zyrtare, operacioni i arrestimit u ekzekutua nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.
“I dyshuari, zyrtar në Qendrën e Regjistrimit Civil, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar përfitim pasuror në këmbim të një shërbimi zyrtar”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet lidhur me rastin po vijojnë.
Ky institucion ka ritheksuar zotimin e tij për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën e pa kompromis ndaj korrupsionit për të mbrojtur interesin publik, raporton lajmishqip.