Nis gjyqi në Berlin për mjekun 40-vjeçar: Akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve dhe djegien e banesave të tyre

2 minutes, 21 seconds Read

Në Berlin ka nisur një proces gjyqësor i përmasave të jashtëzakonshme, ku një mjek 40-vjeçar i kujdesit paliativ akuzohet se ka vrarë 15 pacientë me një koktej medikamentesh dhe më pas u ka vënë flakën banesave për të fshehur gjurmët.

Prokuroria gjermane e ka ngarkuar të pandehurin, identifikuar si Johannes M., me 15 akuza për vrasje me paramendim dhe motive të ulëta, duke kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Përveç kësaj, prokurorët synojnë të argumentojnë për ekzistencën e rrethanave “veçanërisht të rënda faji”, çka do të parandalonte lirimin e tij me kusht dhe do t’i ndalonte përgjithmonë ushtrimin e profesionit.

Gjatë seancës hapëse të së hënës, prokurori Philipp Meyhoefer deklaroi se mjeku organizonte vizita në shtëpitë e pacientëve me qëllimin e vetëm për t’i vrarë pa dijeninë e tyre, duke përdorur një përzierje vdekjeprurëse anestetikësh dhe relaksuesish muskulorë që shkaktonin asfiksi.

“Ai veproi me përbuzje të plotë ndaj jetës… duke u sjellë si zot i jetës dhe i vdekjes,” pohoi Meyhoefer para trupit gjykues.

Sipas aktakuzës, dy prej vrasjeve dyshohet se janë kryer brenda të njëjtës ditë gjatë vitit 2024.

Johannes M. ishte i punësuar në një shërbim mjekësor mobil që ofronte kujdes paliativ në shtëpi për pacientët në fazë terminale. Viktimat e tij, 12 gra dhe 3 burra, ishin të moshave nga 25 deri në 94 vjeç dhe kanë humbur jetën në periudhën shtator 2021 – korrik 2024. Ndonëse vuanin nga sëmundje të rënda, asnjëri prej tyre nuk konsiderohej në prag të vdekjes në momentin e krimit.

Alarmi për këtë rast u dha nga një kolege e të dyshuarit, e cila raportoi se të paktën pesë pacientë të tij kishin vdekur në rrethana misterioze, përfshirë edhe në zjarre.

Prokuroria gjithashtu ka konfirmuar se po heton edhe rreth 70 raste të tjera vdekjesh që mund të jenë të lidhura me të akuzuarin, përfshirë atë të vjehrrës së tij në Poloni.

I pandehuri ka zgjedhur të heshtë përpara gjykatës dhe ka refuzuar t’i nënshtrohet një vlerësimi psikologjik. Si pasojë, motivet e tij të mundshme mbeten ende një mister.

Procesi gjyqësor parashikohet të zgjasë deri në fund të janarit 2026 dhe do të dëgjohen rreth 150 dëshmitarë. Trembëdhjetë familjarë të viktimave i janë bashkuar gjyqit si palë civile paditëse.

Ky rast ka sjellë në vëmendje kujtimet e infermierit Niels Högel, i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2019 për vrasjen e 85 pacientëve, i konsideruar vrasësi serial më i madh në Gjermaninë e pasluftës, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme