Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin amerikan, Donald Trump, për ta falënderuar për mbështetjen e tij në përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Ai e përshkroi bisedën me homologun e tij amerikan si “shumë të mirë” dhe konstruktive.
Zelensky bëri të ditur se me Presidentin Trump diskutoi për “mjetet dhe zgjidhjet e nevojshme për të ofruar mbrojtje më të mirë” ndaj popullit ukrainas nga sulmet ruse.
Të dy liderët u pajtuan të vazhdojnë komunikimin e rregullt për të koordinuar hapat e ardhshëm, me Zelenskyn që e mbylli deklaratën me fjalët: “Faleminderit, zotëri President! Faleminderit, Amerikë!”.
Kjo bisedë vjen në kohën kur administrata Trump i ka dhënë një ultimatum Rusisë për t’i dhënë fund luftës brenda 50 ditësh, ose përndryshe do të përballet me tarifa të ashpra tregtare, raporton lajmishqip.