Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, ka përmbyllur një sërë takimesh me liderët kryesorë politikë në Kosovë, të cilat nxorën në pah një konsensus të plotë për partneritetin strategjik me SHBA-në, por edhe thekse të ndryshme lidhur me sfidat aktuale të vendit. Në qendër të diskutimeve ishin kriza institucionale, dialogu me Serbinë dhe rruga drejt anëtarësimit në NATO.
Të gjithë bashkëbiseduesit, nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, te liderët opozitarë Memli Krasniqi (PDK), Hykmete Bajrami (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), shprehën mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur amerikane. Deklaratat e tyre konfirmuan njëzëri se aleanca me SHBA-në mbetet “e përjetshme”, “e fuqishme” dhe “e palëkundur”, duke theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme e Uashingtonit.
Pavarësisht unitetit për raportet me SHBA-në, secili lider vuri në pah prioritete të ndryshme. Kryeministri Kurti u fokusua në bashkëpunimin bilateral dhe zhvillimet rajonale. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi nevojën urgjente për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që përfshin njohje reciproke. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, vuri theksin te rëndësia e anëtarësimit të shpejtë në NATO. Ndërkaq, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, adresoi krizën e brendshme institucionale, duke propozuar si rrugëdalje krijimin e një qeverie kalimtare, raporton lajmishqip.