Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, duke e krahasuar këtë subjekt politik me një sekt.
Në një intervistë në emisionin “Oxygen”, Rama deklaroi se VV-ja nuk funksionon si parti. “Unë mendoj se as parti politike nuk janë, por një lloj sekti; kanë aty babën dhe askush nuk guxon të bëjë asgjë”, tha Rama, duke shtuar se pas çlirimit nga ‘okupatori serb’, tani po përballen me ‘okupimin’ nga ‘çifti i Kurtit me ekipin e tij’.
Megjithatë, Rama ka sqaruar se kritika e tij nuk drejtohet te votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët tha se ka respekt maksimal. Problemi, sipas tij, qëndron te një grup i vogël brenda partisë.
“Një klan i ngushtë aty që e shfrytëzon partinë për nevojat dhe egot e veta e i bllokon të gjitha proceset është për të ardhur keq”, u shpreh ai. Këto komente të kryetarit të Prishtinës vijnë në një kohë kur ai akuzon vazhdimisht Qeverinë për bllokimin e projekteve kapitale në Prishtinë, raporton lajmishqip.