Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në Termocentralin “Kosova B” po realizohet investimi më i madh që nga ndërtimi i tij, një projekt modernizimi që kap vlerën e mbi 56 milionë eurove dhe financohet tërësisht nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ai theksoi se ky është një moment historik për sektorin energjetik të vendit.
Në një postim ku shpërndau edhe një video të punimeve, Kurti shpjegoi se ekspertët e kompanisë amerikane General Electric (GE), të cilët projektuan turbinat origjinale para 40 vjetësh, tashmë po punojnë së bashku me punëtorët e KEK-ut për t’i modernizuar ato. Kjo ndërhyrje kapitale po bëhet për herë të parë pas më shumë se katër dekadash funksionim.
Sipas shefit të qeverisë, përfitimet nga ky investim do të jenë të shumta. “Me këtë investim kapital po sigurohet më shumë prodhim vendor, po rritet siguria e furnizimit dhe ulet varësia nga importi”, ka shkruar Kurti, duke nënvizuar se modernizimi do të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës, raporton lajmishqip.