Lansohet qendra tregtare multifunksionale “InterCity” – një qytet brenda Prishtinës!

3 minutes, 21 seconds Read

Një ritëm i ri me standarde ndërkombëtare po vjen në Kosovë. Sot është bërë lansimi i qendrës tregtare multifunksionale “InterCity”, i cili do të ketë 69 njësi komerciale për bizneset, e jo vetëm qendër, por edhe apartamente e një hotel luksoz. InterCity do të ofrojë dy mijë vende pune me lokacion në Arbëri – Prishtinë.

Investitori Artan Reka tha se projekti do të jetë vlerë e shtuar, i cili do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.

“Nuk është thjesht një projekt ndërtimor, ai është reflektim i punës dhe besimit tonë për të ardhmen e Kosovës. InterCity po ndërtohet si një qendër multifunksionale që ka vetë arkitekturë moderne, me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj cilësisë. InterCity do të jetë vlerë e shtuar e kryeqytetit dhe vendit tonë. InterCity, një kontribut në zhvillim ekonomik dhe social të vendit. Po e ndërtojmë një koncept të ri brenda kryeqytetit, një simbol të aspiratave tona me besim bashkëpunim dhe përkushtim”, tha Reka.

Drejtori menaxhues i InterCity, Mauro Abbruzzese tha se është një projekt unik në krahasim me çdo zhvillim tjetër në vend apo rajon.  Ai shtoi se ka kërkesa të shumta të brendeve të njohura e afariste për të qenë pjesë e këtij projekti, por që hapësira është e kufizuar.

“Vlera e këtij projekti është jashtëzakonisht e lartë, sepse është vërtet unik në krahasim me çdo zhvillim tjetër në vend apo rajon. Ai përfaqëson shembullin e parë të një komuniteti të ndërtuar jo thjesht për blerje, por për të krijuar një përvojë tërësisht të re jetese. Kërkesa është shumë më e madhe se sipërfaqja që kemi në dispozicion, sepse InterCity, siç e kam përmendur më parë, përfaqëson një kompleks me një qëllim të qartë. Edhe pse qendra tregtare dhe komplekset përreth do të kenë marka kombëtare dhe ndërkombëtare, ne kemi marrë një numër shumë të madh kërkesash. Shpresojmë të mund t’u japim mundësi sa më shumë qiramarrësve, por është gjithashtu e vërtetë që hapësira është e kufizuar”, tha ai. 

Investitori tjetër Bujar Reka theksoi se është një qytet në qytet, i cili do të përmirësojë dukjen e Prishtinës.

“Është një projekt shumë inovativ, besoj që do ta përmirësojë edhe dukjen e Prishtinës, mendoj që do të jetë një nga vendet me të mira qe do të ketë Prishtina. Që nga fillimi i punimeve deri më sot mendoj se janë diku dy mijë vende pune. Është një qytet brenda qytetit, ku i plotëson të gjitha nevojat për komunitetin. Brenda vitit 2026 do ta finalizojmë”, theksoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se ky projekt jo vetëm që pasqyron vizionin për zhvillim modern urban, por edhe fuqinë dhe vendosmërinë të ndërmarrjes vendore.

Ajo tha se është më shumë se një simbol besimi në potencialin e Kosovës, duke krijuar dhe kontribuar në ekonominë e vendit me standardet më të larta bashkëkohore.

“Jo vetëm pasqyron vizionin për zhvillim modern urban, por në të njëjtën kohë pasqyron edhe fuqinë dhe vendosmërinë të ndërmarrjes vendore. Është më shumë se një qendër ekonomike, është një simbol besimi në potencialin e Republikës së Kosovës, në aftësinë e prodhuesve tanë, e investitorëve për të ndërtuar, krijuar dhe kontribuar në ekonominë e vendit tonën përgjithnjë me standardet më të larta bashkëkohore. Përkrahja e prodhuesve dhe investitorëve vendorë nuk është vetëm nevojë ekonomike e vendit, është vizioni më i drejtë për të ardhmen. Projekte të tilla i japin dhe imazh të ri e zhvillimor vendit tonë”, u shpreh Osmani.

Kjo qendër tregtare multifunksionale pritet që të përfundohet gjatë vitit 2026./KosovaPres

Publikime te ngjashme