Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi rikonfirmon qëndrimin parimor dhe kushtetues të partisë së tij. Sipas tij, pika kyçe e vendimit është obligimi i të gjithë deputetëve për të marrë pjesë në votim.
Murati ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se Gjykata e ka shpallur votimin e fshehtë si antikushtetues. Përkundrazi, ai thekson se Gjykata e ka konfirmuar atë si një nga mënyrat e lejuara për votim në Kuvend.
“Në asnjërin prej pikave të aktgjykimit Gjykata nuk ka thënë se votimi i fshehtë është antikushtetues,” u shpreh Murati. “Gjykata ka konfirmuar se votimi i fshehtë është njëra nga mënyrat që mund të përdoret.”
Pika thelbësore e interpretimit të Muratit është se Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se deputetët nuk mund të jenë të pranishëm në seancë dhe të refuzojnë të votojnë.
“Gjykata Kushtetuese dje e ka rikonfirmuar që të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim. Nuk mund të vijnë në seancë dhe të mos votojnë. Mosvotimi fare është shkelje kushtetuese,” përfundoi ai.