Qeveria e Kosovës ka ngritur alarmin për provokime të mundshme gjatë manifestimit të festës së Vidovdanit, që do të mbahet të shtunën në Gazimestan. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës posedojnë informacione për përpjekje nga Serbia për të nxitur incidente përmes elementeve destruktive.
Në një fjalim para kabinetit qeveritar, Kurti theksoi se ekzistojnë të dhëna për organizimin e grupeve nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, me qëllim të pjesëmarrjes masive në këtë tubim. Ai paralajmëroi se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe dhe ruse.
“Pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente. Këto veprime bien ndesh me Kushtetutën tonë dhe janë kundër vlerave demokratike e evropiane,” u shpreh Kurti.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e asnjë provokimi. Ai siguroi se institucionet e rendit dhe sigurisë janë në gatishmëri të plotë dhe nuk do të tolerojnë asnjë veprim që cenon paqen dhe sigurinë publike.
Vidovdani, apo Dita e Shën Vitusit, është një festë e rëndësishme kombëtare dhe fetare për serbët. Ajo përkujton Betejën e Kosovës, të zhvilluar më 28 qershor 1389, mes një koalicioni ballkanik të udhëhequr nga Princi Llazar dhe ushtrisë së Perandorisë Osmane.