Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e plotë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas sulmeve të kryera ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke theksuar se SHBA është aleati kryesor dhe partneri i pazëvendësueshëm i Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti deklaroi se Republika e Kosovës i bashkohet qëndrimit të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian kundër programit bërthamor të Iranit.
“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese,” shkroi Kurti.
Ai rikonfirmoi përcaktimin e palëkundur të Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike, duke e cilësuar Amerikën si një forcë thelbësore për paqen.
“SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special… ato janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur,” përfundoi kryeministri, raporton lajmishqip.