Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Iranit të tregojë “përmbajtje maksimale” pas sulmeve ajrore që ushtria amerikane kreu mbi objektet bërthamore iraniane.
Përmes një postimi në platformën X, lideri francez njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian. Gjatë bisedës, Macron ka theksuar nevojën urgjente për një kthim në diplomaci dhe i ka kërkuar Teheranit të angazhohet për të hequr dorë nga ambiciet për armë bërthamore.
“Nuk ka alternativë tjetër: kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë për të gjithë,” shkroi presidenti francez.
Gjithashtu, Macron përsëriti kërkesën për lirimin e menjëhershëm të dy shtetasve francezë, Cecile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët mbahen të burgosur në Iran nën akuza për spiunazh që nga maji i vitit 2022.
Thirrja e tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë kryer me sukses një operacion ushtarak kundër disa objekteve bërthamore në Iran, raporton lajmishqip.