Analizë: Si rrezikon konflikti në Lindjen e Mesme të godasë ekonominë shqiptare, nga nafta te turizmi

1 minute, 22 seconds Read

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili i shtohet krizës së vazhdueshme në Ukrainë, rrezikon të sjellë një sërë efektesh negative për ekonominë shqiptare. Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi mund të ndihet në disa sektorë kyç, nga çmimet e energjisë dhe lëndëve të para, deri te anulimet e mundshme në turizëm.

Goditja e parë dhe më e menjëhershme pritet të jetë në sektorin e energjisë. Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës bruto shënoi një rritje të menjëhershme prej 10% deri në 13%, një tendencë që pritet të reflektohet së shpejti edhe në pikat e karburantit në Shqipëri, sipas A2 CNN. Njëkohësisht, rritja e importit të energjisë elektrike për shkak të temperaturave të larta e bën vendin më të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve globale, çka do të përkthehej në çmime më të larta.

Varësia e lartë nga importi e bën Shqipërinë të ndjeshme edhe në tregun e drithërave dhe lëndëve të para për industrinë, të cilat do të pasonin çdo rritje çmimesh në nivel botëror. Po ashtu, një klimë pasigurie në rajon mund të ndikojë negativisht në industrinë e turizmit, duke shkaktuar anulime të mundshme kontratash.

Ky skenar përforcohet edhe nga një raport i fundit i Bankës Botërore. Institucioni paralajmëron se një përshkallëzim i mëtejshëm i konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në Europën Lindore mund të shkaktojë një valë të re, potencialisht shkatërruese, të krizës së çmimeve në mbarë botën, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme