Nemajna Radivojeviq me nofkën “Gandi” dhe Vladimir Radivojeviq me nofkën “Mami”, janë dy serbët që terroristi Milan Radoiçiq i ka angazhuar për të realizuar sulme në veri, tha të martën në konferencë për media kryeministri Albin Kurti.
Por, kush janë dy personat që kryeministri Kurti tha se kanë marrë pjesë në agresionin në Banjskë të Zvecanit?
Mësohet se Vladimir Radivojeviq, i njohur me nofkën “Mami” konsiderohet si njëri nga personat më me ndikim dhe të besueshëm të Milan Radoiçiq.
I njëjti ka lidhje të shumta me politikanë serbë dhe me grupe të ndryshme kriminale që kanë operuar në veri të vendit. Është anëtarë i ekipit të tifozëve “Delije” nga Zveçani, punonjës i MTS në Mitrovicë të veriut, si dhe akter i shumë ngjarjeve të dhunshme në veri të vendit.
Nemanja Radivojeviq – “Gandi” në anën tjetër, është caktuar nga Milan Radoiçiq, si personi kryesor në aspektin operativ të veprimit në terren.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se gjatë barrikadave të muajit dhjetor 2022 në veri të vendit, ai ka qenë personi kyç për transportin dhe shpërndarjen e armatimit tek personat e besueshëm të tij.
I njëjti është duke qëndruar në Kopaonik të Serbisë dhe në vazhdimësi, edhe përmes rrjeteve sociale, ka kërcënuar në forma të ndryshme, për veprime të dhunshme në veri të vendit tonë.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti tha të martën se bazuar në informacionet e inteligjencës, Milan Radoiçiq ka caktuar dy persona të afërt të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre. /kp