Vendimi për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke përfshirë prestigjiozen Associated Press. Në artikullin e mediumit thuhet ndër tjera se vendimi “mund të përkeqësojë më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për t’i normalizuar ato.”
Vendimi, i kundërshtuar nga dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ka nxitur gjithashtu reagime nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Në një deklaratë të dhënë për Reporteri, Ambasada e ShBA-së shprehu shqetësimin e saj të thellë për veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve dhe procedurave ligjore.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politik”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.