Keir Starmer ka mirëpritur rënien e Bashar al-Assadit, duke thënë se sirianët “e kanë duruar regjimin e tij brutal për shumë, shumë gjatë”.
Kryeministri britanik deklaroi se qeveria e tij “po flet me aleatët rajonalë” ndërsa u kërkoi sirianëve të gjejnë “një rrugë politike përpara”, duke shtuar se “është shumë e rëndësishme që civilët dhe pakicat të mbrohen në këtë proces”.
“Por jam shumë, shumë i kënaqur që Assad ka rënë”, tha Starmer.
Mirëpo Keir nuk pranoi të tregonte nëse Britania e Madhe do të zhvillonte bisedime me kryengritësit që kanë rrëzuar Assadin pas 24 vjetësh në pushtet.
Starmer tha se është e rëndësishme që “të stabilizohen, të refuzojnë terrorizmin dhe dhunën dhe që të gjithë të punojnë drejt një zgjidhjeje politike për të ardhmen e Sirisë dhe rajonit”.
Bëhet e ditur se kryeministri po viziton Lindjen e Mesme, udhëtim ky të cilin e kishte planifikuar para rënies së regjimit sirian, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ndërsa udhëtimi fillimisht ishte caktuar për të diskutuar partneritetin ekonomik midis Mbretërisë së Bashkuar, Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite (KSA), tani edhe paqëndrueshmëria rajonale është pjesë e diskutimit.
Ndryshe, Starmer po kërkon të “thellojë lidhjet e mbrojtjes dhe sigurisë” me UAE dhe KSA.
Eksportet e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në KSA janë me vlerë 3.8 miliardë paund dhe është tregu më i madh i tillë për britanikët.
Për shumë vite, KSA ishte kundër regjimit të Assadit në Siri, si dhe kundër mbështetësve të tij në Iran.
Sauditët më parë kanë ofruar mbështetje ushtarake dhe financiare për grupe të ndryshme rebele në Siri në prag të luftës civile të vitit 2011.
Ndërsa, vitin e kaluar Assad vizitoi KSA pas ripranimit të Sirisë në Ligën Arabe pas një mungese 11-vjeçare.
Siria u përjashtua nga grupi pas shpërthimit të luftës civile dhe trajtimit të civilëve nga regjimi.
Emiratet e Bashkuara Arabe në mënyrë të ngjashme ndërprenë lidhjet me Sirinë pas shpërthimit të luftës, përpara se të rivendosnin ato në vitin 2018./Telegrafi