Frank Wisner, ish-emisari amerikan që ndërmjetësoi bisedimet Prishtinë-Beograd para pavarësisë së Kosovës, ka folur për perspektivën nëse vjen në pushtet Kamala Harris apo Donald Trump.
Wisner ka deklaruar se nga kandidatja e Partisë Demokratike në garën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, nuk pret ndonjë lëvizje të rëndësishme në kontekstin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.
“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, u shpreh Wisner për Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ish-diplomati nuk e përjashtoi mundësinë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili synon një tjetër mandat në krye të Shteteve të Bashkuara (SHBA) ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin, derisa përmendi propozimin e dikurshëm për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë.
“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.
Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale vijnë në kohën kur Uashingtoni ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë.
E, përkundër se analistët nuk presin që politika amerikane ndaj rajonit të ndryshojë rrënjësisht, liderët në Kosovë dhe Serbi kanë shfaqur preferenca e tyre.