Irani nisi një sulm me raketa ndaj Izraelit të martën në përgjigje të vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe të tjerëve, sipas një deklarate nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, më herët të martën, SHBA-të thanë se besonin se një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit ishte i pashmangshëm pasi Izraeli nisi një operacion tokësor në Libanin jugor.
Ja çfarë dimë për sulmin deri më tani:
Mbi 100 raketa të lëshuara
Ushtria izraelite vlerësoi se Irani gjuajti 180 “predha”, por theksoi se nuk ishte numërimi përfundimtar.
Ekipet e CNN panë dhjetëra raketa mbi qytetet e Tel Avivit, Jerusalemit dhe Haifës.
Ndërkohë, ushtria e Jordanisë tha në një deklaratë se “qindra raketa iraniane u lëshuan drejt Izraelit”, duke cituar një burim ushtarak në komandën e përgjithshme të forcave të saj të armatosura.
Disa raketa iraniane goditën drejtpërdrejt në Izraelin qendror dhe jugor, ka thënë një zëdhënës ushtarak izraelit.
Nuk raportohet për të lënduar
Sirenat u ndezën në Izrael ndërsa njerëzve iu tha të futeshin në strehimore ndërsa raketat binin, duke përfshirë kabinetin e sigurisë izraelite, sipas një burimi izraelit.
Nuk pati të lënduar pas sulmit të Iranit, ka theksuar zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, adm. Daniel Hagari.
Paralajmërimet për përshkallëzim
Misioni iranian në Kombet e Bashkuara theksoi të martën pasdite se përgjigja e Teheranit “është kryer siç duhet” dhe nëse Izraeli “duhet të guxojë të përgjigjet ose të kryejë akte të mëtejshme keqdashjeje, do të pasojë një përgjigje e mëvonshme dhe dërrmuese”.
Ndërkohë një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se “do të ketë pasoja të rënda”.
Mbështetja e SHBA-së
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka bërë të ditur se forcat amerikane në Lindjen e Mesme “po mbroheshin kundër raketave të lëshuara nga Irani që synonin Izraelin”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden dhe zëvendës-presidentja Kamala Harris ishin në dhomën e situatës në Shtëpinë e Bardhë duke monitoruar sulmin.
Presidenti “udhëzoi ushtrinë amerikane të ndihmonte mbrojtjen e Izraelit kundër sulmeve iraniane dhe të rrëzonte raketat që synonin Izraelin”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Chuck Schumer janë informuar gjithashtu për sulmin, sipas zëdhënësve të tyre përkatës. /Telegrafi