Izraeli shënjestroi liderin e Hezbollahut në një sulm ajror masiv kundër selisë së grupit militant në Bejrut të premten, sipas një zyrtari amerikan, dy zyrtarëve izraelitë dhe dy personave të njohur me këtë çështje.
Kështu shkruan Politico, sipas të cilit medium, sulmi përshkallëzon në mënyrë dramatike konfliktin në Liban dhe vë në dyshim nëse administrata e Joe Biden mund të arrijë një marrëveshje armëpushimi.
Mbetet e paqartë nëse sulmi vrau apo plagosi me sukses Hassan Nasrallah, apo nëse ai ishte edhe në ndërtesën që u godit, shkruan mediumi në fjalë, përcjell Telegrafi.
Por nëse Nasrallah do të vritej, kjo do të shënonte një nga goditjet më të rëndësishme izraelite kundër Hezbollahut në dekada; Nasrallah ka udhëhequr grupin militant të mbështetur nga Irani që nga viti 1992, pasi Izraeli vrau liderin e tij të mëparshëm.
“Pavarësisht nëse Izraeli ishte apo jo i suksesshëm në vrasjen e Nasrallahut sot, ky pa dyshim do të jetë një përshkallëzim i dukshëm në konflikt që do të na vendosë përtej pragut të një lufte gjithëpërfshirëse”, vlerëson Firas Maksad nga Instituti i Lindjes së Mesme.
“Është veçanërisht ogurzi pasi forcat tokësore izraelite përgatiten për një pushtim të dukshëm të Libanit jugor”.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari tha se forcat e tij “kryen një sulm të saktë në selinë qendrore të organizatës terroriste Hezbollah… duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë në mënyrë që familjet izraelite të mund të jetojnë në shtëpitë e tyre, në mënyrë të sigurt”.
Sulmi vjen pasi zyrtarët e lartë të administratës Biden u përpoqën që Izraeli dhe Hezbollahu të bien dakord për një pauzë në luftimet në përpjekjet e tyre për të shmangur një luftë tokësore në shkallë të gjerë në Libanin jugor që mund të kishte pasoja shkatërruese humanitare që përkojnë me luftën në Gaza.
Përshkallëzimi i luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut në ditët e fundit ka vrarë rreth 700 njerëz dhe ka detyruar 90,000 të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban./Telegrafi