Deputeti Armend Zemaj ka thënë se LDK-ja është e hapur për të gjithë që duan t’i bashkohen asaj, nëse e përqafojnë programin e saj.
Deputeti i LDK-së tha se edhe për presidenten Vjosa Osmani ka vend në parti.
“Duhet thënë diçka: në LDK ka përfunduar një cikël zgjedhor. LDK është një strukturë e zgjedhur në një konventë prej 8 mijë vetëve. Tash, se kush ku e sheh të ardhmen e vet, edhe në aspektin dëshiror e edhe në fuqinë politike, vjen koha dhe mundemi me qenë pjesë e çdo mandati udhëheqës brenda LDK-së”, tha Zemaj në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Zemaj u pyet nëse ka vend për Vjosa Osmanin që të rikthehet në LDK.
“Në pjesën e brendshme të LDK-së, (mundësia) është pas katër vitesh, por për të qenë anëtar, mund të jetë nesër. Nuk mund të ketë kushte (për anëtarësim) sepse ne jemi parti e hapur. Nuk kemi kushte, sepse kushdo që e përqafon programin e LDK-së, mundet me garu, edhe me zgjedh e edhe me u zgjedhë. Nëse (Osmani) e do aq shumë LDK-në, duhet pak sakrificë, le ta lëshojë nesër pozitën e presidentes, pastaj vjen. Kjo nuk është ofertë, por është sakrificë për të”, potencoi deputeti Zemaj.
Megjithatë, ai tha se nuk beson se presidentja Osmani është e gatshme të rikthehet në familjen e saj të vjetër politike, “duke e pasur parasysh se nëpër çka ka kaluar, ose s’po them çfarë ka bërë, për të mbërritur aty”.
Duke folur për ngjarjen e para disa ditëve në Podujevë, ku u zbulua shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova, Zemaj tha se Osmanin “dukej që e kishte marrë malli” për LDK-në.