Imane Khelif e cila shkaktoi një debat ndërkombëtar për gjininë e saj pasi e shkatërroi kundërshtaren në ring për 46 sekonda, të enjten, ka folur për guximin e saj dhe për kapërcimin e saj nërpër një jete të vështirë për të arritur në majat e sportit.
Sportistja algjeriane ka treguarse si është ngrit nga shitja e bukës në rrugët e fshatit të saj, në Algjeri, për t’u bërë heroinë sportive. Ajo ka treguar se kIshte qenë një trajner në shkollë ai që e kishte orientuar drejt sportit të boksit, për shkak të cilësive fizike që i kishte, shkruan “Daily Mail”.
Edhe atëherë ajo ishte përballur me paragjykime, pasi familja dhe komuniteti konservator në vendin ku ka jetuar e shihnin sportin si diçka që është “vetëm për burra”.
25-vjeçarja ishte njëra prej dy sportisteve të përjashtuara nga Botërori i boksit vitin e kaluar, pasi nuk i kishin përmbushur “kriteret e përshtatshmërisë gjinore”. Tani ajo synon medalje të artë olimpike, gjë që do të ishte realizim i ëndrrave. Ajo arriti në fazën çerekfinale, me fitore ndaj italianes Angela Carini.
Por, triumfi i saj mbeti në hije të debateve. Italiania u tërhoq në lot pas vetëm 46 sekondash të raundit të parë dhe u tha trajnerëve se kjo “nuk është e drejtë”.
Në një intervistë të xhiruar para Lojërave, Khelifi flet për kthimin e saj në sport, pas ndalimit që i ishte bërë vitin e kaluar.
“Doja t’i tregoja gjithë botës se çfarë gruaje e guximshme është Imane Khelif”, thotë ajo.
Paraqitja e saj në Paris po bëhet njëra prej temave më të diskutuarave në histori të Lojërave Olimpike. Deri më tani ka pasur shumë reagime lidhur me paraqitjen e saj në konkurrencën e boksiereve. Por, drejtuesit e lëvizjes olimpike i dolën në mbrojtje boksieres, duke vlerësuar se ndaj saj po ushtrohet “agresion”.
Khelifi ka shpërndarë deklaratën e IOC-së në rrjetet sociale, duke shkruar: “Falënderimi i takon Zotit. Drejtësia është hyjnore”.
Italiania Carini u godit dy herë nga Khelifi në meçin e tyre në Paris. Ajo pësoi një thyerje të hundës dhe mezi dha një goditje, përpara se t’i drejtohej këndit të saj e të thoshte: “Kjo nuk është e drejtë”. Më pas ra në gjunjë dhe refuzoi t’ia jepte dorën Khelifit. Pas meçit, ajo tha se u dorëzua “për të shpëtuar jetën”.
Gjatë intervistës për Canal Algerie, e cila përmban edhe fotografi të Khelifit si vajzë e vogël, algjeriania tregon se nisi të merrej me boks për shkak të cilësive fizike që i pa tek ajo trajneri në shkollë.
Kur pyetet pse zgjodhi të merrej me një sport që shpesh njihet si sport i djemve, Khelif përgjigjet: “Ishte një mundësi e pastër. Kurrë nuk e imagjinoja që një ditë do të bëhesha boksiere dhe se do të bëhesha kampione e botës. Gjithmonë e kam dashur futbollin dhe kam luajtur për fshatin tim të vogël. Babai im gjithnjë e ka preferuar futbollin para boksit. Por, unë isha shumë e mirë në sport në shkollë dhe mësuesi më inkurajoi të bëhesha boksiere pasi kisha cilësi të mira fizike. Dhe kishte të drejtë”, thotë Khelif.
Ajo tregon se “ra në dashuri” me boksin sapo doli në ring për herë të parë. Tregon gjithashtu se e kishte një fëmijëri të vështirë.
“Unë vijë nga një rajon dhe nga një familje konservatore. Sipas botëkuptimit të atjeshëm boksi është sport vetëm për djemtë”, thotë ajo.
Khelif tregon se ajo duhet të udhëtonte nga fshati në qytet për të stërvitur.
“Kisha pengesa qëkur fillova. Më ka ndodhur të shisja bukë në rrugë. Kam mbledhur pjata dhe gjëra të tjera për të fituar para dhe për të lëvizur, sepse vija nga një familje shumë e varfër”, thotë boksierja më e famshme në botë aktualisht.
Imane e përshkruan karrierën e saj si “histori mbresëlënëse”. Ajo ka nisur në fshat, ka vazhduar në qytetin e afërt e pastaj në kryeqytet dhe jashtë vendit.
Pjesëmarrja e Khelifit në olimpiadën e Parisit po shoqërohet me kundërthënie, për shkak të përjashtimit të saj nga Botërori i vitit të kaluar.
Komiteti Olimpik i Algjerisë i doli në mbrojtje, duke thënë se diskualifikimi i saj nga Botërori i vitit të kaluar ishte pjesë e një komploti për ta ndalur atë ta fitonte medaljen e artë. Sipas algjerianëve, “arsyet mjekësore” qëndrojnë prapa nivelit të lartë të testosteronit te Khalifi.
Edhe Lin Yu-Ting nga Tajvani ishte diskualifikuar nga Botërori me të njëjtin arsyetim.
“Viti 2023 ishte shumë i vështirë për mua. Ishte një goditje e rëndë, por u ktheva më e fortë për të treguar forcën dhe vendosmërinë time dhe për t’i treguar gjithë botës se çfarë gruaje trime është Imane Khelifi”, thotë ajo.