Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vendet e rajonit duhet të tentojnë të merren vesh, pasi që, siç u shpreh ai, të gjitha resurset tjera janë harxhuar dhe pa rezultate.
Ai ka thënë se Serbia duhet të pranojë qëndrime të kundërta për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe t’i vë pikë atij procesi e “të shohë përpara” drejt të ardhmes evropian.
Abazoviq thotë se kudo në rajon ka struktura destruktive, si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi, Shqipëri, BeH, të cilat duan të mbajnë Ballkanin Perëndimor në “kafazin e viteve nëntëdhjetë”.
“Nuk i konsideroj miq politikë, por në nivel njerëzor, sigurisht që mund të kenë komunikim shumë të mirë, por mendoj se na duhet një politikë që do të nënkuptonte një marrëveshje më të gjerë në rajon”, theksoi Abazoviq për RTS, transmeton Klankosova.tv.
Ish-kryeministri i Malit të Zi thotë se i përmbahet tezës se marrëveshja është e vetmja rrugë që çon drejt progresit, duke vlerësuar se politika e tij është “dëgjuar në rajon”.
“Ndoshta është një shpresë, ndoshta është një dritare e vogël që dikush tjetër do ta përdorë, por për mirë. Por sigurisht mendoj se zëri ynë dhe politika jonë autentike është përhapur apo dëgjuar edhe në rajon. Ne kemi provuar gjithçka në të kaluarën, thjesht nuk e kemi provuar marrëveshjen. Ne kemi provuar luftën, kemi provuar armiqësi, kemi provuar konflikte, kemi provuar marrëdhënie të ftohta, kemi provuar shigjetat e zjarrta mes njëri-tjetrit. Ne nuk e kemi provuar marrëveshjen. Mendoj se më në fund duhet t’i japim një shans marrëveshjes dhe ta provojmë atë marrëveshje. Le të themi – le të përpiqemi ta bëjmë këtë për të paktën një periudhë, sepse pjesa tjetër e asaj që kemi bërë deri më tani nuk ka pasur ndonjë efekt më të madh”, tha Abazoviq.
Duke komentuar kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, Abazoviqi tha se “votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të ishte i mundur nën mandatin e tij”. I pyetur se çfarë gjesti është ky ndaj Serbisë, Abazoviq thotë se kupton gjithçka, por mesazhi i tij për qytetarët e Serbisë është që të shikojnë përpara.
“Sepse disa gjëra nuk mund të ndryshohen në këtë moment”, shton Abazoviq.
Gjithashtu thotë se edhe sikur të tre anëtarët malazezë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të votonin kundër pranimit të Kosovës, nuk do të ndryshonte asgjë.
“Dhe tani do të flasim përsëri për Këshillin e Evropës, do të flasim përsëri për disa rezoluta të tjera e kështu me radhë. Derisa t’u japim fund disa gjërave, ne do të vazhdojmë ta përsërisim këtë në pesë dhe në dhjetë vjet. Synimi im, ky nuk është mosrespekt, ky është respekt, kjo është këshilla më miqësore dhe më vëllazërore, është t’i japim fund këtyre çështjeve dhe të vazhdojmë më tutje”, tha Abazoviq.
I pyetur nëse ka pasur reagime nga Beogradi për deklaratën e tij, ai thotë se nuk kanë arritur tek ai.
“Dhe atë që kam deklaruar, e kam deklaruar sepse jam politikisht konsistent. Unë besoj, mendoj se politika, si çdo profesion tjetër, duhet të bëhet me nder, ndershmëri dhe me synime të qarta. Qëndrimi i Malit të Zi ka qenë deri më tani, dhe mendoj se i njëjti do të jetë edhe në të ardhmen, që thjesht të ndjekim politikën e BE-së kur bëhet fjalë për çështjet kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe qëndrimin ndaj Kosovës të cilën Mali i Zi e ka njohur. Dhe në atë kontekst, nuk e di pse do të na krijonin vazhdimisht tensione”, tha Abazoviq.
Ai konkludoi se Serbia dhe Mali i Zi duhet të gjejnë një minimum të gjërave të përbashkëta që i bashkojnë dhe t’i promovojnë ato, si dhe të respektojnë reciprokisht pikëpamjet e njëri-tjetrit, edhe nëse ato janë të kundërta.