Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, është krenuar tej mase me të arriturat e ekzekutivit. Megjithatë, në pothuajse secilën temë për të cilën ka diskutuar, Kurti e ka përmendur drejtësinë.
Shefi i ekzekutivit kritikoi mes rreshtash Prokuroinë e Gjyqësorin për mungesën e aktakuzës ndaj Milan Radoiçiqi, kritikoi gjithashtu për rastet e krimeve të luftës, për dhunën në familje. Kritikoi Prokurorinë e Gjykatën për mungesën e besimit të qytetarëve, raporton Nacionale.
Kur foli për sundimin e ligjit në veri, Kurti tha se arrestimi nuk është i mjaftueshëm nëse kriminelët lihen të lirë nga Gjykata.
“Kemi luftuar kontrabandën, krimin e korrupsionin. Mbi 4 tonë substanca narkotike janë konfiskuar, 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar. U sekuestruan mallra nga Dogana e Kosovës. Kemi aprovuar ligje të rëndësishme si ai për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë i cili ende mbahet pezull në Gjykatë. Forcimi i sundimit të ligjit është i varur nga drejtësia. Arrestimi i kriminelëve nga Policia nuk është i mjaftueshëm nëse ata lihen të lirë nga drejtësia. Vetëm 1/3 e qytetarëve është e kënaqur me punën e prokurorëve e gjyqtarëve. Ne jemi shtet demokratik, pushtetet i kemi të ndara, por shtetin e kemi të përbashkët. Por këto statistika nuk janë numra, por fakte të verifikueshme”, tha Kurti.
Kritikat i vazhdoi me mungesën e aktakuzës për rastin e Banjskës.
“Në veri është ulur ilegaliteti, dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave, dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme. Janë ngritur 9 stacione policore për kontrollin e kufirit. Sot po hyjmë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist që na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Edhe java e tretë pa aktakuzë do të duhej të problematizohej, e lëre më java e 30”, tha Kurti.
Vazhdoi me kritika për hetimin e gjykimin e krimeve të luftës.
“Për të dokumentuar krimet e luftës dhe veprimet gjenocidale të Serbisë kemi themeluar Institutin e Krimeve të Luftës. Ne po angazhohemi të bëjmë më të mirën të dëshmojmë atë që ka ndodhur në luftë. E kemi mundësuar gjykimin e kriminelëve në mungesë. Kemi bërë ndryshimet ligjore që kriminelët serbë të përballen me drejtësinë. Nuk mund të ketë aministi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Mungojnë aktakuzat e gjykimet për kriminelët”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, qytetarët nuk besojnë në drejtësi nëse dikush ua shkel një të drejtë.
“Në njërën anë është puna e kontributi që bën shoqëria, por posaçërisht vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm. E njerëzit duhet të besojnë në sistemin e drejtësisë, ky besim është konkret. Nëse qytetari përjeton padrejtësi, ai duhet të besojë që gjyqësori duhet të ofrojë drejtësi, dhe kompensim për padrejtësi, dhe dënim për shkelësin. Kjo ndjenjë nuk ekziston në Kosovë. Qytetarët po e përjetojnë progresin, qytetari e ndjen se qeveria nuk e vjedh atë, por edhe duhet ta ndjejë drejtësinë t’i jap hakun. Drejtësisë i nevojitet progresin, gjyqësori drejtësinë, qeveria progresin, këto janë shtyllat. Nuk mund të kemi qëndrueshmëri, nëse secila shtyllë nuk është shtyllë që e mban shtetin për të mirën e shoqërisë”, tha kryeministri i vendit.
Kurti gjithashtu kritikoi Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se e ka lënë pezull Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
Pra, në pothuajse secilin paragraf, Kurti pati nga një koment për punën e drejtësisë, pavarësisht se në një moment e pranon që janë pushtetet e ndara. Ai si duket përgjegjësinë komplet për dështimin e disa prej reformave të shumëpërfolura në drejtësi.