Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira, pavarësisht se mbi disa tema nuk pajtohen plotësisht.
Ndërsa diplomatët amerikanë janë shprehur se mungesa e bashkërendimit për çështjen e përdorimit të dinarit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë e Kosovës, zonja Gërvalla tha se “ka disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik”, duke shtuar se “vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë”.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ajo foli edhe mbi mungesën e përparimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, kohën e skadencës e ka derisa Serbia të tërhiqet, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ia vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet”, u shpreh ajo.
Sa i përket mundësisë që Mali i Zi të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, zonja Gërvalla tha se “do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë”.
Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla nesër në mbledhjen e Komisionit për politikë dhe demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të diskutohet raporti për Kosovën. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Donika Gërvalla: Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet. Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim.
Zëri i Amerikës: Zonja Gërvalla, megjithatë zyrtarë të Malit të Zi nga radhët e Partisë Demokratike Popullore pro serbe lanë të kuptohet se delegacioni i tyre do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndonëse vendi e njeh pavarësinë e Kosovës. A i druheni votës në Asamblenë Parlamentare në muajin prill apo në Këshillin e Ministrave në takimin e majit?
Donika Gërvalla: Vota për anëtarësimin e Kosovës që do të jepet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të jetë një votë masive pozitive për Kosovën, të paktën kështu na tregojnë të gjitha bisedat që kemi zhvilluar deri tani ndërsa sa i përket Malit të Zi, me Malin e Zi kemi marrëdhënie të mira dhe unë nuk besoj që shtetet tona fqinje do të duhej të votonin kundër, megjithatë mbetët të shohim gjatë ditëve të ardhshme.
Nuk do të varet nga vota e Malit të Zi anëtarësimi apo mos anëtarësimi i Kosovës, por do të ishte natyrisht një regres i rëndë në raportet tona bilaterale, prandaj nuk besoj se Mali i Zi do të marr një vendim të tillë.
Zëri i Amerikës: Ju thatë më herët se keni bërë detyrat e shtëpisë. Mbyllja e çështjes së pronave të Manastirit të Deçanit përmbushi një nga kriteret që lidhej drejtpërdrejtë me kërkesën tuaj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Por diplomatë amerikanë thanë se çështje të tjera si ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në këtë proces. A mund të shfaqet kjo çështje si pengesë në rrugën tuaj?
Donika Gërvalla: Raporti i Këshillit të Evropës e thotë shumë qartë se Kosova përmbushë të gjitha standardet më të larta të demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë, sundimi i ligjit dhe të tjera që janë kritere për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. I hapur pati mbetur vetëm implementimi nga ana e institucioneve i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një temë që është zgjidhur në ndërkohë, dhe krijimi i kushteve shtesë, pra shtimi i kushteve të cilat nuk janë paraparë në raport, do të ishte një qasje shumë e padrejtë ndaj kërkesës sonë, prandaj edhe nuk besoj që ka për të ndodhur./voa