Emisari i Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, ka thënë se të hënën do të jetë takimi i ri mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajçaku të martën [sot] zhvilloi takime me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Në takim, u dakordua që deri të premten pala kosovare dhe ajo serbe të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit, që të diskutohen në takimin e së hënës.
Për takimin, emisari i BE-së ka shkruar në “X”, njohur më parë si Twitter.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak.
Pas takimit që zgjati më shumë se tre orë, Bislimi ka thënë se u diskutua më së shumti për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Zbatimit.