35 Vjet nga Akti Historik: Osmani Nderon Kushtetutën e Kaçanikut si Themel të Republikës

1 minute, 2 seconds Read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar aktin e 7 shtatorit 1990 si një moment themeltar guximi dhe themel të patjetërsueshëm të shtetësisë së vendit.

Në një deklaratë me rastin e këtij përvjetori, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë historike të këtij dokumenti. “Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës,” u shpreh ajo.

Ajo shtoi se rëndësia e Kushtetutës së Kaçanikut i kapërcente kufijtë e një dokumenti thjesht juridik, duke u shndërruar në një zotim për të ardhmen.

“Ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira. Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan,” përfundoi Presidentja Osmani./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme