Hovenier: Takimet e Kryenegociatorëve në Bruksel kanë ngushtuar dallimet, përparimi është urgjent, s’duhet pritur 2024-ta

16 minutes, 22 seconds Read

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në një intervistë për T7 ka folur për nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën Drejtë Normalizimit. Diplomati amerikan ka përmendur disa herë kërkesën e Sholc, Makron e Meloni që Kosova të nis Asociacionin e Serbia ta japë njohjen de-facto.

Hovenier teksa ka folur për takimet e fundit në Bruksel të kryenegocaitorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ka thënë se është në dijeni të asaj që dallimet mes palëve po ngushtohen. Sa i përket frikës se Asociacioni mund të çrregullojë shtetin e Kosovës, Hovenier ka specifikuar parimet mbi të cila SHBA përkrah themelimin dhe ka potencuar se as Uashingtoni zyrtar s’është i interesuar të bëhet pjesë e një procesi që e prish funksionimin e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se është urgjente që Qeveria të ecë përpara me procesin dhe të kryejë punën e saj duke aprovuar Draftin dhe që të njëjtin ta procedojë për në Gjykatë Kushtetuese. Numri një i SHBA-së në Prishtinë kur ka folur për parashikimin e diplomatëve për vitet 2024-2025 si kohë kur mund të pritet përparim mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se është çështje e vullnetit të palëve por që s’do të dëshirojë të pritet për afatin kohor të përmendur. Sa i përket aspektit të sigurisë në Veri dhe deklaratës së fundit të Stoltenberg për dislokimin e forcave serbe në afërsi të kufirit, Hovenier ka thënë se e bën gjumin rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në Veri.

T7: Z. Hovenier, ju faleminderit shumë për kohën tuaj.

Ambasadori: Ju faleminderit. Kam kënaqësinë që jam këtu.

T7: Pas takimeve të ndara ndërmjet Kurtit, Vuçiqit dhe udhëheqësve evropianë në fund të tetorit, Sholc, Makron dhe Meloni deklaruan se komentet e Kurtit dhe Vuçiqit tregonin gatishmërinë e tyre për të zbatuar statutin evropian për Asociacionin. Në të njëjtën deklaratë, udhëheqësit i bënë thirrje Kosovës të niste procesin e themelimit të Asociacionit, kurse Serbia duhej të përmbushte njohjen de facto. A po zbatohen këto kërkesa dhe ku qëndrojmë tani?

Ambasadori: Mendoj se kjo është pyetje shumë me rëndësi dhe mendoj se keni të drejtë kur thoni se ka pasur një varg deklaratash nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë siç e thatë edhe ju, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, për të dy vendet për të zbatuar në tërësi dhe shpejt të gjitha detyrimet e marra sipas Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Shtetet e Bashkuara pajtohen tërësisht me këtë. Gjithashtu, mendojmë se kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente. Sa i përket pyetjes suaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje. Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit.

T7: Siç e përmendët, Lajçak i ka ftuar krye-negociatorët në takim në Bruksel për të punuar në planin e sekuencimit. A jemi pranë marrëveshjes për këtë plan që tregon marrëveshje për hapat e zbatimit?

Ambasadori: E kam të vështirë të them saktësisht ku qëndrojnë negociatat sepse kjo është çështje për Miroslav Lajçakun dhe ekipin e tij. Por, e di se dallimet po ngushtohen. Para pak kohëve pati takim të krye-negociatorëve dhe sa e kam kuptuar unë ata janë më afër një marrëveshjeje apo mirëkuptimit rreth mënyrës më të mirë për zbatimin e asaj marrëveshjeje. Më lejoni ta them edhe këtë sepse kjo është një objektivë me të vërtetë e rëndësishme për të dy vendet: të dy vendet do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë dhe i tërësishëm i detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit. Letra e liderëve që iu referuat më herët flet për rëndësinë që këto të bëhen paralelisht. Kosova ndërmerr një hap dhe njëkohësisht edhe Serbia ndërmerr një hap. Duhet të ketë një lloj të këtillë të paritetit dhe të dyja duhet të ndërmarrin veprim të njëmendtë dhe duke e bërë këtë përfitojnë të dy vendet.

T7: Z. ambasador, prej konferencës suaj për medie më 9 nëntor, ku deklaruat se draft-statuti është kushtetues, ka pasur deklarata të ndryshme prej udhëheqësve shtetërorë në Kosovë. Për shembull, presidentja i ka shprehur dyshimet e saj duke i përmendur 2-3 çështje që mund të shkaktojnë probleme. A i ndani këto shqetësime?

Ambasadori: Më vjen shumë mirë që e shtruat edhe këtë pyetje. E para, dua të jem shumë i kujdesshëm rreth asaj se çka kam thënë e ajo që kam thënë është se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht draft-statutin që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës nga përfaqësuesi i BE-së Lajçak dhe përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe ShBA-së. Dëshiroj ta përmend sërish letrën, të cilës iu referuat edhe ju, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, që flet për atë se ata plotësisht e mbështesin dhe e pranojnë statutin. Kjo është një gjë mjaft e jashtëzakonshme që udhëheqësit e lartë politikë të këtyre vendeve të investuar për të parë që Kosova avancon në trajektoren e saj evropiane dhe euro-atlantike duke treguar mënyrën si të ecet përpara përmes dorëzimit të një draft-statuti që do të ndihmonte Kosovën për të përmbushur një hap kritik që i duhet ta përmbushë, e që është zbatimi i Asociacionit, që e presim ta shohim ashtu siç presim të shohim Serbinë duke ecur përpara në zbatimin e detyrimeve të saj sipas marrëveshjes bazë, e që në letrën nga ata udhëheqës i referohet si njohje de facto. … më falni e humba pak fillin te pjesa e dytë e pyetjes suaj…

T7: Ishte për presidenten që i ka shprehur dyshimet e saj. Ajo i ka përmendur 2-3 çështje.

Ambasadori: Po. Nuk është vetëm… E para, kam pasur rastin të diskutoj disa herë me presidenten Osmani dhe nuk e di… dua të them, ajo mund të flasë për veten e saj, por nuk e di a është e drejtë që pikëpamjet e saj të cilësohen si dyshime e jo siç mendoj unë që i kuptoj shqetësimet e saj se ka mënyra që potencialisht mund të keqinterpretohen se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si presidente, natyrisht ajo ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj dhe pasi të jetë miratuar dhe të jetë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rishikim – që duhet të ndodhë, është pjesë e procesit – sa e kuptoj unë, ajo, si presidente e Republikës, e ka mundësinë t’ia ofrojë Gjykatës Kushtetuese pikëpamjet e saj. Unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara: ne besojmë se çfarëdo Asociacioni i komunave me shumicë serbe që themelohet duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme. I pari: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës; që të mos ketë ndryshime kushtetuese. I dyti: duhet të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes. Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë.

T7: Z. ambasador, besoj se e keni parë që politikanët opozitarë dhe ekspertët e Kushtetutës po komentojnë rreth një dokumenti jozyrtar që supozohet të jetë draft-statuti që sugjeron autonomi për serbët në Kosovë. Pyetja ime është: kur do ta shohin qytetarët e Republikës së Kosovës statutin që i është dorëzuar qeverisë më 21 tetor?

Ambasadori: Më lejoni që së pari të përgjigjem në pyetjen për kritikat. Siç e kam thënë edhe më përpara, jam në dijeni për një varg shqetësimesh që janë ngritur. E dini, kemi simpati të madhe për të gjithë ata që duan të sigurojnë që rendi i mirë funksional i shtetit të Kosovës, një vend i pavarur sovran, të vazhdojë të funksionojë mirë. As ne nuk jemi të interesuar që të jemi pjesë e një procesi që do të vinte në funksion gjëra që prishin funksionimin e rendit të shtetit të Kosovës. Nuk besojmë se ky draft-statut do ta bënte këtë dhe këtë e kemi theksuar vazhdimisht. Dua të theksoj se disa muaj më parë më erdhi shumë mirë kur disa nga liderët dhe partitë opozitare i shprehën në mënyrë shumë publike shqetësimet e tyre se qeveria e kryeministrit Kurti ndoshta nuk ishte plotësisht në sinkronizim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara ose me aleatët tanë perëndimorë lidhur me dialogun dhe ata shumë hapur bënë thirrje që qeveria e Kosovës të punojë ngushtë me ne dhe të jetë në një vijë me ne, si dhe të sigurohet që gjërat që ne kërkonim të bëhen pjesë e qëndrimeve të qeverisë. Thjesht dëshiroj të them se shpresoj që vazhdon të jetë kështu. Ky draft-statut është dorëzuar nga përfaqësuesi special i BE-së dhe përfaqësues shumë të lartë të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. Pra, shpresoj që ata që janë fokusuar që duhet të ketë bashkërenditje dhe harmonizim të mirë me Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, do ta mbajnë po këtë parim edhe për këtë draft-statut dhe që e mbështesin atë, e mirëpresin atë dhe ndihmojnë në avancimin e tij. Këtë e shpresojmë. Tani, përkitazi me atë se kur do të bëhet publik – e kam të vështirë ta them. Unë nuk jam negociatori. Këtë gjë duhet ta përcaktojë Miroslav Lajçak, por do të vë në pah se nuk është e pazakontë që gjatë negociatave të ndjeshme të mos bëhen publike të gjitha hollësitë e një dokumenti që shqyrtohet në negociata, sepse duhet të merreni me këto gjëra në diskrecion. Dhe ndërsa opinioni publik është shumë i interesuar për këtë çështje dhe ka të drejtën për të kuptuar se çfarë po ndodh, ndonjëherë duhet të ketë pak durim për t’i lënë negociatat të vazhdojnë, sepse ato janë më të frytshme kur negociatorët mund të punojnë në kushte pa pasur nevojë që t’ju përgjigjen çdo ditë mediave apo opinionistëve, të cilët mund t’i kenë ose të mos i kenë të gjitha nuancat apo edhe hollësitë e çështjes që po negociohet.

T7: E kemi parë që qeveria e Kosovës vazhdimisht deklaron se Marrëveshja e Ohrit dhe draft-statuti nuk mund të zbatohen pa nënshkrim të udhëheqësve. A mund të ketë zbatim pa nënshkrime?

Ambasadori: Natyrisht që mund të ketë zbatim pa nënshkrime. Sërish, vetëm mund ta theksoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara – dhe sa e kuptoj unë edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian edhe pse nuk jam i autorizuar që të flas në emër të BE-së – por, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara siç është shprehur nga i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ne i konsiderojmë këto detyrime ligjërisht të detyrueshme dhe besojmë që udhëheqësit janë pajtuar për këto zotime kur u pajtuan për Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit. E kam dëgjuar Xhosep Borrellin duke e thënë të njëjtën gjë pas negociatave të Ohrit. Pra, për ShBA-në, për BE-në dhe sërish për BE-në sepse konkluzionet e Këshillit të Evropës i kanë përfshirë marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit, ato janë ligjërisht të detyrueshme dhe ne presim që ato të zbatohen në tërësi. Edhe një herë do ta përmend këtë letrën që po i referohem të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë që gjithashtu thotë se është urgjente që të ecet përpara me zbatimin e plotë pa parakushte, pa vonesa dhe që çështjet që kanë të bëjnë me formalitetet apo formulimin nuk duhet të na shpërqendrojnë nga puna e rëndësishme për të ecur përpara me zbatimin e plotë dhe në tërësi.

T7: Ish-emisari evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Wolgang Ischinger, sugjeroi që nuk mund të ketë përparim para vitit 2024-2025. Çka mendoni për këtë afat kohor?

Ambasadori: Do të dëshiroja të jem shumë më optimist dhe mendoj se është e përshtatshme që të jemi më optimistë. Nëse shihni gjatë vitit të fundit ka pasur një numër sfidash, përfshirë edhe ndaj gjendjes së sigurisë në Kosovë, por ajo që kemi arritur apo që është arritur në dialog është mjaft e jashtëzakonshme. Gjatë vitit të fundit jeni pajtuar për një Marrëveshje bazë, që bën një numër të gjërave pozitive për Kosovën. Aty ka dispozita për respektimin e kufirit të njëra-tjetrës, barazinë sovrane të vendeve, njohjen e dokumenteve të Kosovës… janë disa gjëra shumë, shumë pozitive në të. Dhe për to janë pajtuar. Në aneksin e zbatimit ka dispozita cila është mënyra më e mirë për tu zbatuar ajo. Ende duhet të punohet shumë për mirëkuptim të përbashkët dhe pajtim se si të bëhet ky zbatimi i vështirë paralel ashtu që të dy palët të ndërmarrin hapa pak a shumë të barabartë dhe pak a shumë njëkohësisht. Por, ka pasur arritje të mëdha, prandaj kam shpresë që mund të arrihet edhe më shumë. Është çështje e vullnetit dhe nuk do të dëshiroja të pres për afatin kohor që e përmendët.

T7: Z. ambasador, kanë kaluar dy muaj prej sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Përkundër deklaratave të qeverisë së Kosovës, Serbia mohon përgjegjësinë. A ka hetime ndërkombëtare për këtë?

Ambasadori: Nuk e di a do të thosha hetim, por sigurisht, Shtetet e Bashkuara dhe një numër i partnerëve tanë i kanë shqyrtuar hollësisht informatat e marra nga qeveria e Kosovës, nga burimet e tjera dhe kemi vlerësuar se çka ka ndodhur. Sërish, kemi deklaruar shumë publikisht shumë shpejt çfarë vepre e tmerrshme ishte kjo. Kjo vepër kriminale, që rezultoi në vrasjen e një zyrtari policor të Kosovës, për çka sërish dëshiroj që popullit të Kosovës, veçanërisht familjes Bunjaku, t’ua shpreh ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara, nuk do duhej të kishte ndodhur kurrë. Po e përmbyllim vlerësimin tonë për këtë. Vazhdimisht kemi thënë se përgjegjësit munden, do të duhej dhe duhet të mbahen përgjegjës. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Pra, përgjegjësit për këtë sulm të dhunshëm, për këtë vrasje, për këtë kërcënim ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës.

T7: Gjatë vizitës në Beograd, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sërish foli për dislokimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën. Sipas mendimit tuaj, a ekziston ende ky kërcënim?

Ambasadori: Ne i përcjellim shumë për së afërmi një varg gjëra që mund të jenë burim jostabiliteti në rajon. Dhe natyrisht, shpesh kemi folur publikisht kur ishim të shqetësuar për dislokimin specifik ushtarak rreth zonës kufitare. Dhe kjo vazhdon të jetë diçka që ne e përcjellim nga afër. Por, do të thosha gjithashtu se një nga mënyrat si e shprehim se sa seriozisht e marrim këtë është përkushtimi ynë afatgjatë për sigurinë e Kosovës, që më së mirë shprehet përmes misionit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së ShBA-së në të. Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet.

T7: Z. ambasador, ju faleminderit shumë për kohën tuaj. Ishte kënaqësi.

Ambasadori: Kënaqësia ishte imja. Ju faleminderit!

Publikime te ngjashme