Besnik Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka tërhequr vërejtjen se sektori privat në vend po përballet me një krizë të thellë që mund të çojë në kolaps të plotë.
Përmes një reagimi publik, Tahiri ka theksuar se rritja e pandalshme e çmimit të naftës dhe ngarkesat e larta fiskale kanë krijuar një situatë tashmë të papërballueshme për pothuajse çdo punëdhënës në Kosovë.
“Punëdhënësit, e në veçanti bizneset vendore, ndodhen sot në prag të kolapsit, duke rrezikuar në këtë mënyrë të gjithë stabilitetin ekonomik të vendit. Funksionaliteti i shtetit është i kërcënuar seriozisht,” u shpreh ai.
Ai argumentoi se mungesa e veprimeve konkrete në këtë periudhë të pazakontë po i detyron ndërmarrjet drejt mbylljes. Ky trend, sipas tij, po vë në rrezik direkt mijëra vende pune për qytetarët.
Tahiri kritikoi ashpër strategjinë e ndjekur nga ekzekutivi, duke thënë se tentativa për të “luftuar” çmimet duke i detyruar bizneset të operojnë me humbje është vetëm një recetë për falimentim të përgjithshëm.
Sipas tij, shtetet që pretendojnë seriozitet nuk duhet të përdorin populizmin dhe çmimet artificiale si mjet për të menaxhuar krizat, pasi kjo nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme./lajmishqip.net









