Tragjedi në futboll: Vritet mizorisht në mes të rrugës ylli i kombëtares së Ekuadorit

1 minute, 21 seconds Read
Banner Description

Mbrojtësi i krahut të majtë i skuadrës Barcelona SC nga Ekuadori, Mario Pineida, është ekzekutuar në mënyrë barbare në qytetin Guayaquil. Lajmi i rëndë është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet policore, të cilat njoftuan se 33-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash për vdekje teksa ndodhej përpara një dyqani mishi. Pineida ishte një emër i njohur edhe në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar kombëtaren e Ekuadorit në nëntë ndeshje zyrtare.

Sipas dëshmive të para të publikuara nga mediat vendase, dy persona që lëviznin me motoçikletë i janë afruar futbollistit dhe njëri prej tyre ka shtënë menjëherë në drejtim të tij. Nga ky sulm i armatosur ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër që ndodhej pranë, gjendja e të cilit mbetet ende e paqartë për mjekët.

Klubi i tij aktual, Barcelona SC, ka shprehur dhimbjen e thellë përmes një komunikate në rrjetet sociale, duke e cilësuar humbjen e lojtarit si një goditje të madhe. Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur edhe nga gjiganti brazilian Fluminense, klub ku Pineida u aktivizua gjatë vitit 2022, periudhë në të cilën arriti të shpallej kampion i Kampionatit Carioca.

Ekzekutorët e këtij krimi makabër gjenden ende në arrati, derisa forcat e rendit kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e tyre. Policia ekuadoriane ka deklaruar se po grumbullon çdo dëshmi dhe provë materiale që do të ndihmonte në zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje që ka lënë në zi botën e sportit ./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme