Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.
Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Në Parlamentin Evropian nuk pritej të kishte ndonjë problem gjatë votimit, pasi një shumicë e madhe e deputetëve e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.