Videoja e plotë e pritës në Rinas: Si u spiunua Dani nga Barcelona dhe u ekzekutua në 55 sekonda

2 minutes, 17 seconds Read
Banner Description

Ekzekutimi mafioz i Gilmando Danit në Rinas, ku mbeti i plagosur edhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Mustafa Sheqeri, zgjati vetëm 55 sekonda.

Në një video të siguruar nga A2CNN, shfaqet momenti i sulmit ndaj automjetit tip “Mercedes Benz S-Class”, me të cilin udhëtonte Dani. Pamjet tregojnë një automjet tjetër të ndaluar në anë të rrugës, i cili u përdor për pritën. Sapo automjeti i Danit afrohet, tre persona dalin me shpejtësi nga makina e ndaluar dhe hapin zjarr me breshëri armësh automatike. Makina e viktimës ndalon disa metra më tej, ndërsa autorët afrohen sërish.

Pas sulmit, autorët u larguan në drejtim të Krujës dhe në fshatin Halil dogjën makinën, brenda së cilës u gjetën 4 armë zjarri. Ata dyshohet se kanë ndjekur të njëjtin itinerar si kur mbërritën në Rinas, ashtu edhe kur u larguan.

Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona. Ata kishin mbërritur në aeroportin e Rinasit, ku kishin parkuar automjetin që prej datës 7 nëntor, kur ishin nisur drejt Spanjës.

Policia e Tiranës ka identifikuar një person që dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit. Ai është parë duke ruajtur viktimën dhe të plagosurin që nga momenti kur dalin nga aeroporti, duke njoftuar përgjatë kohës personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota të përdorur në pritë. Ka dyshime të forta se informacioni për autorët ka ardhur nga Barcelona, që nga momenti kur Dani dhe Sheqeri janë nisur për t’u kthyer në Shqipëri.

Një ditë pas atentatit, gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta raportoi se në vendngjarje kishte ende predha plumbash. Ndonëse zona i ishte kthyer normalitetit të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë e të huaj, paniku dhe frika e ngjarjes së rëndë ishin ende të pranishme.

“Pikërisht aty te vizat e bardha, ku duhet të kalojnë qytetarët që vijnë nga aeroporti i Rinasit, kanë nisur të shtënat e para me armë zjarri, ku autorët janë afruar drejt automjetit tip Benz dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash”, raportoi Çelmeta.

I plagosuri Mustafa Sheqeri, punonjës i AMP-së, ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, pezulloi zinxhirin komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale. Gjithashtu, u ndaluan dy efektivë policie të komisariatit nr. 3, të akuzuar për falsifikim të vulave dhe formularëve gjatë përpilimit të Vërtetimit të Besueshmërisë për Mustafa Sheqerin./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme