Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se planifikon të mbajë një “deklaratë të madhe” lidhur me Rusinë javën e ardhshme.
Në një intervistë për NBC News lidhur me luftën në Ukrainë, Trump shprehu zhgënjim me Moskën. “Mendoj se do të kem një deklaratë të madhe për Rusinë të hënën”, tha ai.
Ai nuk dha detaje për natyrën e deklaratës, por përmendi një marrëveshje të re armatimi që përfshin SHBA-në, NATO-n dhe Ukrainën.
“Ne i dërgojmë armët NATO-s dhe NATO paguan për to, 100 për qind. Pra, armët tona shkojnë te NATO, dhe më pas NATO ia jep ato Ukrainës dhe paguan për to”, shpjegoi lideri amerikan.
Sipas tij, kjo marrëveshje u finalizua gjatë samitit të NATO-s muajin e kaluar, ku ai sinjalizoi mbështetje për dërgimin e raketave Patriot në Ukrainë.
“Ne dërgojmë armë për NATO-n dhe aleanca do të kompensojë çmimin e plotë të atyre armëve,” përsëriti presidenti 79-vjeçar.
Deklaratat e tij të fundit vijnë mes një vale sinjalesh kontradiktore dhe të paqarta nga Uashingtoni. Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, pezulloi njëanshmërisht dërgesat e ndihmës ushtarake për Kievin, përfshirë sistemet Patriot.
Ky vendim u anulua më pas, ndërsa Trump mohoi çdo përfshirje dhe tani është zotuar të miratojë dërgesa shtesë armësh për Ukrainën.
Dy burime thanë më parë se Trump do të dërgojë armë për Kievin për herë të parë që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë. Ai e mori këtë vendim në kuadër të autoritetit presidencial (PDA), të cilin e ka përdorur shpesh edhe paraardhësi i tij, Joe Biden.
Burimet i thanë agjencisë Reuters se ekipi i Trump do të identifikojë armatime nga stoqet amerikane për t’ia dërguar Ukrainës përmes PDA-së, ku vlera e paketës pritet të arrijë rreth 300 milionë dollarë, raporton lajmishqip.