Rrëmbimi i një shtetasi të Kosovës nga xhandarmëria serbe, KFOR konfirmon dijeninë për incidentin

3 minutes, 1 second Read

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka konfirmuar të hënën se është në dijeni për njoftimin e Policisë së Kosovës, sipas të cilit një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës. Megjithatë, KFOR thekson se situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë.

“Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe është në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Aktivitetet në anën kosovare të vijës kufitare janë koordinuar me KFOR-in,” thuhet në përgjigjen e këtij misioni, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë për shkelje të integritetit territorial, pasi më 1 nëntor Policia e Kosovës pranoi informacione se në zonën e Leposaviqit, një shtetas kosovar me inicialet M.V. ishte plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

Në anën tjetër, autoritetet serbe nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare për këtë rast.

Sipas Policisë, vendi i ngjarjes ndodhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, në zonën e njohur si “pika zero”, pranë kufirit me Serbinë. Policia ka theksuar se po bashkëpunon me KFOR-in, si autoritet përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi ngjarjen si një akt që kërkon reagim të menjëhershëm të botës demokratike, duke theksuar se Serbia po vazhdon një qas­je hegjemoniste dhe po sulmon “çdo qytetar që guxon të thotë të vërtetën për regjimin autokratik të Vuçiqit”.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi ashpër, duke e quajtur rastin pjesë të një politike serbe të frikësimit dhe përndjekjes së qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të kufirit shtetëror dhe të drejtave të qytetarëve tanë,” shkroi Sveçla në Facebook, duke kërkuar reagim ndërkombëtar që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla.

Sipas dëshmive të para, viktima M.V. është dërguar me autoambulancë drejt Nishit në Serbi, pasi disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, e kishin plagosur dhe rrëmbyer, për ta transferuar më pas në Serbi.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, por asnjëra nuk është përgjigjur deri më tani. Po ashtu, Qendra Klinike Universitare e Nishit nuk ka dhënë asnjë koment.

Informacionet e para për incidentin u publikuan nga avokati serb Ivan Niniq, i cili në rrjetin X (Twitter) shkroi se Milan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, dhe se mjekët në Nish po përpiqeshin t’i shpëtonin jetën.

Kujtojmë se KFOR është reaktori i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundim të ligjit (EULEX), dhe mbetet përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare me Serbinë.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës akuzojnë xhandarmërinë serbe për hyrje në territorin kosovar. Në mars 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fshatin Dumnicë të Podujevës dhe u liruan pas 48 orësh, ndërsa në vitin 2023, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga autoritetet serbe në një incident të ngjashëm./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme