Rast alarmues në veri – një serb nga Kosova plagoset dhe rrëmbehet nga xhandarmëria serbe në Leposaviq

1 minute, 5 seconds Read

Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V., i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, pranë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit ka njoftuar dhe bashkëpunuar me KFOR-in, që është përgjegjës për sigurinë në zonën kufitare.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka ndërmarrë veprimet hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit. Sipas dëshmive, disa persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, e kanë plagosur dhe më pas rrëmbyer viktimën, të cilën e kanë dërguar në territorin e Serbisë. Aty, sipas dëshmitarëve, ajo është transportuar me autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit,” thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet tjera relevante të sigurisë./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme