Kryeministri Edi Rama ka publikuar për ndjekësit e tij një sekuencë vizuale përmbledhëse nga punimet e djeshme të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt në Bruksel.
Në materialin e shpërndarë, kreu i ekzekutivit shqiptar shfaqet në momente interaksioni me krerët më të lartë evropianë dhe homologët rajonalë, duke përfshirë Antonio Costan, Kaja Kallasin, Ursula von der Leyen dhe Marta Kosin.
“Mirëmëngjesi, po ju përshendes me këtë videokartolinë nga dita e djeshme e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke ju uruar një ditë të qetë”, shkruan Rama në adresimin e tij.
Në fokus të kamerës u kapën edhe takimet e ngrohta me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku Rama u bë pjesë e videos ku ajo njoftonte lajmin e rëndësishëm për heqjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës.
Ky samit kishte në qendër të diskutimeve Paketën e Zgjerimit 2025 dhe Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh, projekt ky që synon konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në dhe intensifikimin e reformave rrënjësore./lajmishqip.net
