Përplasja e parë diplomatike: Izraeli akuzon ashpër kryetarin e ri të Nju-Jorkut për antisemitizëm

1 minute, 15 seconds Read

Ministria e Jashtme e Izraelit ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit të sapozgjedhur të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, duke e cilësuar veprimin e tij si “hedhje të benzinës antisemite në zjarr”. Ky reagim erdhi menjëherë pasi Mamdani shfuqizoi një urdhër ekzekutiv të nënshkruar së fundmi nga paraardhësi i tij, Eric Adams.

Sipas raportimeve nga “The Guardian”, diplomacia izraelite shkroi në rrjetin social X: “Që në ditën e parë, Mamdani tregon fytyrën e vërtetë duke shfuqizuar përkufizimin e IHRA-së për antisemitizmin dhe duke hequr kufizimet ndaj bojkotit të Izraelit. Ky nuk është lidership, por nxitje antisemite.”

Vendimi i Mamdanit preku drejtpërdrejt urdhrin e periudhës së Adamsit, i cili legjitimonte përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) mbi antisemitizmin.

Nga ana tjetër, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike e ka mirëpritur këtë lëvizje. Sipas tyre, ky përkufizim “kundërthënës dhe tejet i gjerë” është përdorur shpesh si mjet censure për të heshtur kritikat ndaj politikave të qeverisë izraelite dhe akuzave për krime kundër njerëzimit.

Ky tension diplomatik u shpërfaq vetëm pak orë pasi Mamdani urdhëroi shfuqizimin e të gjitha akteve ekzekutive të lëshuara nga Adams pas vitit 2024, periudhë kur ish-kryetari u përball me akuza për korrupsion, të cilat më vonë u hodhën poshtë në mënyrë kontestuese. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme