Gazetari Olti Curri ka reaguar me tone jashtëzakonisht të ashpra pas publikimit të një videoje tronditëse nga aksidenti tragjik në Pejë, ku humbi jetën i riu Eldion Kelmendi. Në një video-mesazh, Curri i ka dënuar ashpër personat që filmuan dhe shpërndanë pamjet, duke i cilësuar ata jo si njerëz, por si “përbindësha” dhe “kriminelë”.
Duke theksuar se në vend që të ofronin ndihmë, dëshmitarët zgjodhën të filmonin skenën makabre për rrjetet sociale, Curri shprehu indinjatën e tij të thellë.
“Njëherë mendova t’i quaj kafshë, por jo, janë përbindësha të rrjeteve sociale; njerëz që nuk duan t’ia dinë për fatkeqësinë e dikujt, por marrin telefonin dhe xhirojnë,” u shpreh ai, duke i akuzuar drejtpërdrejt. “Po ju që keni nisur atë video, që e keni bërë në radhë të parë… ju jeni kriminelë. Çfarë doni të thoni me atë video, përveçse jeni kriminelë?”
Foto: Olti Curri/YouTube
Curri vuri theksin te dhimbja e papërshkrueshme që këto pamje i shkaktojnë familjes së viktimës, duke pyetur retorikisht autorët e videos: “Çfarë do të mendojnë ata kur të shohin këtë video, pasi të ketë mbaruar ceremonia mortore? E keni menduar ndonjëherë se ndoshta do t’ju ndodhte juve një gjë e tillë dhe dikush do të shpërndante videon e vëllait tuaj?!”
Ai e përshkroi veprimin si kulmin e injorancës dhe pandjeshmërisë njerëzore, i motivuar thjesht nga dëshira për vëmendje dhe klikime. Në fund të reagimit të tij emocional, Curri përdori një shprehje të fortë popullore si mallkim ndaj autorit të videos. “Këtë veprim e ka bërë një dorë kriminale, një dorë që shpresoj se Zoti ta ndalë… Po përdor shprehjen e popullit që thotë: ‘Tu thaftë dora’,” përfundoi ai./lajmishqip.net