Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim zyrtar juristin e mirënjohur ndërkombëtar, Sir Geoffrey Nice, i cili shoqërohej nga avokati Taulant Hodaj. Gjatë kësaj vizite, Sir Geoffrey e ka uruar Kryeministrin Kurti për rizgjedhjen e tij dhe fitoren plebishitare në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke vlerësuar angazhimin e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Sir Geoffrey Nice është një figurë me autoritet botëror në fushën e së drejtës penale, i njohur veçanërisht për udhëheqjen e ndjekjes penale kundër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e ICTY-së. Përvoja e tij e gjerë në trajtimin e krimeve ndërkombëtare dhe përgjegjësisë shtetërore e ka bërë atë një bashkëpunëtor të rëndësishëm për institucionet e Kosovës edhe në të kaluarën.
Gjatë takimit, Kurti dhe Nice diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin e deritanishëm dhe çështje që ndërlidhen me funksionimin e Gjykatës Speciale. Në veçanti, Kryeministri e informoi z. Nice për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur të akuzuarit e kësaj gjykate, brenda kornizave ligjore. Nga ana e tij, juristi britanik shprehu gatishmërinë e plotë për të vazhduar konsulencën dhe bashkëpunimin me qeverinë në të ardhmen për çështje komplekse juridike. /lajmishqip.net
