Ditët e para në një punë të re mbeten në kujtesë, kryesisht për shkak të presionit dhe dëshirës për të lënë përshtypje sa më të mirë te punëdhënësi dhe kolegët. Dita e parë në punën tuaj të re, ndonëse mund të jetë e paharrueshme, shpesh di të jetë edhe stresuese.
Kur filloni një punë të re, zakonisht e gjeni veten në një mjedis ku të tjerët tashmë i njohin detyrat dhe rolet e tyre. Është e rëndësishme të kuptoni natyrën e punës sa më shpejt, në mënyrë që të performoni në mënyrë efektive në pozitën tuaj të re.
Ekzistojnë disa strategji për t’u integruar në kulturën dhe natyrën e punës së kompanisë, të cilat gjatë javëve të para e lehtësojnë fazën fillestare në punën tuaj të re.
Përshtatja në ambientin e ri
Në ditën tuaj të parë, vishni rroba që ju bëjnë të ndiheni rehat dhe profesional. Pavarësisht nëse udhëtoni me automjet personal apo transport publik, sigurohuni të lini kohë të mjaftueshme për të arritur në orar, madje duke synuar të arrini pak më herët.
Natyrisht, përpikmëria në punë është gjithmonë e rëndësishme, por në fillim ju jeni nën vëzhgim më të shtuar nga punëdhënësi, i cili vlerëson entuziazmin tuaj për fillimin e ri.
Kuptoni detyrat që priten nga ju
Punëdhënësi juaj i ri nuk e di domosdoshmërisht çdo hap që ju nevojitet për t’u përgatitur për rolin dhe përgjegjësitë e reja. Prandaj, ju vetë duhet të merrni iniciativën për t’i njohur detyrat tuaja dhe për t’i përvetësuar ato sa më shpejt.
Përdorni këto udhëzime bazë për të theksuar vlerën që ju i sillni vendit të punës:
- Mos hezitoni t’i shfaqni aftësitë tuaja.
- Përdorni përvojat paraprake të rëndësishme që përputhen me rolin tuaj të ri.
- Identifikoni njerëzit me të cilët do të punoni.
Brenda javëve të para, caktoni takime me kolegët që kanë detyra të përafërta me pozitën tuaj, për të mësuar më shumë rreth përgjegjësive dhe pritshmërive që ata kanë nga ju.
Këto janë disa këshilla shtesë se çfarë duhet të bëni nëse sapo keni filluar një punë:
- Buzëqeshni dhe jini të shoqërueshëm. Njihuni me bashkëpunëtorët, mësoni për familjet e tyre dhe zbuloni interesat e tyre.
- Përdorni pauzën e drekës për t’u afruar me bashkëpunëtorët tuaj të rinj. Mund të jetë joshëse të takoheni me ish-kolegët nëse jeni afër, por ndërtimi i marrëdhënieve me të tanishmit është më i rëndësishëm për të ardhmen.
- Mos u ankoni për ish-shefin, ish-kolegët, apo punën tuaj të mëparshme.
- Mbani vazhdimisht qëndrim pozitiv dhe jini të hapur me të tjerët./lajmishqip.net
