Krenaria e Sylvinhos pas Humbjes me Anglinë: “Nuk i Njoh Kundërshtarët e Play-offit, Skuadra Është Rritur”

1 minute, 6 seconds Read

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, shprehu krenarinë e tij maksimale për paraqitjen e lojtarëve në ndeshjen ndaj Anglisë, pavarësisht disfatës 2-0 që u regjistrua në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Trajneri theksoi se Shqipëria luajti një ndeshje të mirë kundër një kundërshtari që synon finalet, madje edhe gjysmëfinalet e Botërorit.

“Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët. Bëmë një lojë të mirë ndaj një kundërshtari që synon të arrijë të paktën gjysmëfinalet e një Botërori. Skuadra ka ndryshuar, është rritur, është bërë një punë e madhe nga stafi, ekipi, nga të gjithë”.

“Anglia nuk të lejon të reagosh. Pas pësimit të një goli, mund të pësosh më shumë të tjerë, është aftësia e tyre dhe e kanë pësuar edhe skuadra të tjera”, deklaroi Sylvinho.

Ai nuk komentoi për kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në play-off për Kupën e Botës 2026. Ndeshjet e rëndësishme të play-offit do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

“Nuk mendojmë dot, pa njohur më parë kundërshtarin. Deri atëherë shpresojmë t’i kemi të gjithë lojtarët në gjendje dhe në formë,” përfundoi trajneri i Kombëtares Shqiptare./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme